ZGJEDHJET LOKALE TË SERBISË NË PRISHTIN DHE NË PEJË 16 gusht 2009

17/08/2009 12:48

Vetevendosje

  

Pse duhen bojkotuar zgjedhjet lokale?
Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje lokale por për zgjedhje parlamentare. Nëse krerët e institucioneve të Kosovës e kanë pasur me gjithë mend shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe Kushtetutës së saj, ndonëse me përmbajtje të mangët, të padrejtë e aq të dëmshme, atëherë ata do të shpallnin zgjedhje parlamentare. Kosova ka nevojë për pushtet të ri qendror. Zgjedhjet lokale në vend të atyre parlamentare janë zëvendësim për qytetarët që të mos zëvendësohet pushteti mbi ta. Problemet e shumta të grumbulluara në Kosovën që ka emër të ri nuk zgjidhen duke i kapur për bishti ato.

Zgjedhjet lokale po mbahen për ta legjitimuar decentralizimin. Nuk është e vërtetë që decentralizimi legjitimohet vetëm nëse serbët dalin në zgjedhjet e ardhshme lokale. Edhe nëse dalin vetëm shqiptarët njësoj legjitimohen komunat e reja me shumicë serbe. P.sh. kush kandidon a voton në Lypjan, këtë e bën për një komunë të re të Lypjanit që është komuna e Lypjanit minus tetë fshatra që ia merr Graçanica (pa marrë parasysh se a votojnë serbët në Graçanicë dhe fshatrat përreth); kush kandinon a voton në Prishtinë, këtë e bën për një Prishtinë të re, për Prishtinën pa graçanicën; shqiptarët që kandidojnë a votojnë në komunën e Gjilanit, këtë e bëjnë për një Gjilan tjetër prej atij që e njohim, për një Gjilan të kafshuar në jug nga Parteshi dhe në veri nga trefishimi territorial i Artanës (ish Novobërdës); etj. Decentralizimi nuk i krijon vetëm 5+1 komuna të reja me shumicë serbe por, për pasojë, i transformon edhe shtatë komuna të tjera: Mitrovicën, Prishtinën, Lypjanin, Artanën, Dardanën, Gjilanin dhe Vitinë. Posaçërisht qytetarët shqiptarë të këtyre komunave në zgjedhjet lokale të radhës duke votuar bëhen legjitimues të decentralizimit.

 
 
Anëtarësimi i shtrenjtë në Bankën Botërore
Kosovës po i dalin borxhe të reja. Tash së voni kemi marrë vesh se ia paskemi borxh Bankës Botërore edhe 381 milionë dollarë amerikanë. (Prej këtyre tashmë qeveria amerikane kanë deklaruar se do t’ia falin Kosovës 150 milionë dollarë, që e shndërron këtë borxh në 231 milionë dollarë.) Këto në të vërtet paskan qenë borxhe të vjetra që rrjedhin nga investimet infrastrukturore që i ka bërë Banka Botërore në Kosovë gjatë kohës së ish Jugosllavisë. Borxhe të vjetra të ish Jugosllavisë që neve po na shtyjnë t’i paguajmë. Projektet e Bankës Botërore në Kosovë nuk e kalojnë shumën prej 20 milionë eurosh. Tash pas anëtarësimit në të Kosova po paguan më shumë para në kthim borxhi se sa që po përfiton nga Banka. Anëtarësim i shtrenjtë për një vend të varfër! Asgjë e re.

Sipas burimeve të sigurta nga Qeveria e Kosovës, Hashim Thaçi është duke e kundërshtuar këtë pagim borxhesh. Mirëpo kundërshtimi i tij, sipas të njëjtave burime, nuk është parimor por pragmatik dhe për interes personal. Thaçi nuk po e pranon borxhin për shkak se kjo mund t’ia ndikojë imazhin në zgjedhje. Pra synon ta kundërshtojë pagesën e këtij borxhi deri pas zgjedhjeve. Jo vetëm që ky borxh është i vjetër, por edhe tregimi rreth kundërshtimit të tij ka filluar të vjetërohet. Për shkak se Thaçi po vjetërohet. Ai tradicionalisht dëshiron që të lëshojë pe i fundit dhe në ndërkohë t’ia rris rëndësinë vetvetes. Në fillim kur e kundërshtonte Rambujenë shumë shqiptarë në Kosovë mendonin se e ka përnjëmend. Por atë e pranoi i fundit dhe në fund. Pastaj kundërshtoi Kornizën Kushtetuese. Simpatizantët e tij e quanin të rryer dhe këmbëngulës. Edhe këtë e pranoi. Ishte kategorikisht kundër privatizimit të Ferronikelit. Në fund e pranoi (dhe tash po ndërhynë personalisht për t’i ndalur grevat atje në favor të investitorit kundër interesave të punëtorëve të Ferronikelit). Doli publikisht dhe e kundërshtoi planin 6 Pikësh të cilin e quajti plan që e ndan Kosovën. Tash heshtazi dhe në mënyrë të fshehtë po e pranon zbatimin e tij (deklaratat e Bogdanoviqit për kthimin e policëve serbë në Policinë e Kosovës nën komandën e EULEX-it nënkuptojnë zbatim të 6 Pikëshit në polici). Sikur t’ia kishte borxh dikujt. Por kujt?

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode