Universiteti Epoka, licencohet per 11 programe master

27/08/2009 01:37

 

Universiteti Epoka, licencohet per 11 programe master

27.08.2009
lajme Universiteti Epoka, me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) të Republikës së Shqipërisë të datës 26 Gusht 2009, është liçencuar për hapjen e programeve të ciklit të dytë (DND - Diplomë e Nivelit të Dytë) dhe të ciklit të tretë (MND - Master i Nivelit të Dytë).

Sipas Vendimi të Këshillit të Ministrave, Universiteti Epoka fiton të drejtën e hapjes së 11 programeve të ciklit të dytë dhe të tretë në degët: Arkitekturë, Inxhinieri Kompjuterike, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Studime Europiane, Financë-Bankë dhe Administrim-Biznes (MBA).

Universiteti Epoka, i cili është një vazhdimësi e Kolegjeve Turke në Shqipëri me mësimdhënie plotësisht në gjuhën angleze, është themeluar në vitin 2007. Gjatë periudhës tre vjecare të funksionimit, ka arritur të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi dhe të realizojë projekte të përbashkëta me më shumë se 10 universitete të rëndësishme botërore, mes të cilëve University of Texas at Austin (SHBA), Sam Huston University (SHBA), University of North Iowa (SHBA), Universiteti Politeknik i Barit (Itali), Universiteti i Torinos (Itali), Universiteti i Bolonjes (Itali), Universiteti Teknologjik i Vienes (Austri), Universiteti i Bosforit (Turqi), Universiteti i Stambollit (Turqi), Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme (Turqi) si dhe shumë universitete të tjera.

Në saje të bursave që ofron ky universitet për studentët e suksesshëm, vitin e kaluar, 25 maturantë të rradhitur mes 200 më të mirëve në Maturën Shtetërore të Shqipërisë, fituan bursa të plota katërvjeçare.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm Dr. Ferdinand Gjana, edhe sivjet, ky universitet synon që "familjes Epoka" t'i bashkangjesë më të mirët e kësaj mature. Për këtë arsye, Rektorati i Universitetit ka vendosur që maturantëve të rradhitur mes 200 më të mirëve në Maturën Shtetërore t'u ofrojë 100% bursë, atyre që janë rradhitur nga 200-600, 75% bursë, ndërsa maturantët që do të rradhiten nga 600-1000 do të përfitojnë 50% bursë.

Aktualisht, në Universitetin Epoka funkcionojnë dy fakultete: Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Administrative me degët Financë-Bankë, Administrim-Biznes, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Ekonomi si dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Inxhinierive me degët Arkitekturë, Inxhinieri Kompjuterike dhe Inxhinieri Ndërtimi.

Studimet për programet bachelor në këtë Universitet zgjasin katër vjet dhe mësimdhënia është plotësisht në gjuhën angleze pasi 90 për qind e stafit akademik përbëhet nga profesorë dhe akademikë të huaj.


 

© 2009 All rights reserved.

Make a free website Webnode