14.08.2009 Në një mbledhje tjetër të po këtij kabineti, i shtyrë ndoshta edhe nga euforia parazgjedhore, kryeministri propozoi edhe një projektligj të ri me të cilin do të detyrohen te gjithë pronarët e ndërmarrjeve private që ti emërtojnë veprimtaritë e tyre me emra shqiptarë.
nga Valon Kurtishi
Në një nga mbledhjet e fundit të kabinetit qeveritar, Kryeministri Berisha propozoi një ndryshim të toponimeve sllave në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe zëvendësim gradual të tyrin me emërvende në gjuhën shqipe.
U kërkua gjithashtu që prodhimet e huaja që importohen në Shqipëri të kenë detyrimisht etiketa dhe letra shpjeguese në gjuhën shqipe. Kjo nuk është një zbulim shqiptar dhe këto procedura ka kohë që i aplikojnë shtete të tillë me kulturë, te zhvilluar e të mëdhenj si Franca apo edhe shtete më të vegjël por shumë të avancuar dhe civilizuar europian si Sllovenia.
Me këtë në opinionin publik shqiptar hapet një temë shumë interesante që ka të bëjë me një plagë te hershme etnike të shqiptarëve në përgjithësi. Hapet kështu një temë e ndjeshme në pikëpyetjet identitare brendashqiptare, por edhe në marrëdhëniet e shqiptarëve me kombet, popujt, gjuhët dhe kulturat e fqinjëve më të afërt apo më të largët të tyre. Kjo pasi marrje-dhëniet mes shqiptarëve dhe popujve kufitarë kanë qenë intensive dhe të shumta përgjatë rrjedhës së shekujve. Për këto arsye dhe shumë të tjera, kjo çështje kërkon një trajtim te kujdesshëm dhe shkencor në mënyrë që të jetë sa më e suksesshme për interesat tona kombëtare.
Nga një vrojtim i kujdesshëm por edhe sipërfaqësor të bie në sy mbizotërimi masiv i emërvendeve sllave, greke e bile edhe turke e italiane vizavi atyre shqipe në gjithë shtrirjen gjeografike ku sot jetojnë, a po dikur kanë jetuar shqiptarë në Europën Juglindore. Duke hetuar me kujdes fenomenin e tillë befasues dhe te çuditshëm për shumëkë,na dalin para syve dhe na shkojnë në mendje dy teori të mundshme të cilat do të mund ta shpjegonin disi këtë fenomen shumë kontradiktor.
Është një tezë e pranuar gjerësisht nga shkenca ndërkombëtare se shqiptarët janë popullsi autoktone dhe jo e ardhur në territoret ku banojnë sot. Për më tepër është edhe një fakt tjetër përgjithësisht i pranuar në shkencën ndërkombëtare që territoret ku sot shtrihet etnia shqiptare dhe flitet gjuha shqipe janë treva te restriksionit, d.m.th ngushtimit etnik, gjuhësor dhe fizik. Nga ana tjetër shihet qartë që shumica e toponimeve, hidronimeve.. etj, në po këto territore ku historikisht shqiptarët bëjnë shumicën dërmuese të popullsisë nuk janë dhe nuk mund të zbërthehen në gjuhën e kësaj popullsie shumicë(!?).
Kjo është një situatë mjaft e kundërt në vetvete shpjegimin e se cilës e japin pushtimet e gjata nën të cilat ka jetuar dhe kolonizimet dhe gjenocidet e shumta që ka pësuar populli ynë martir përgjatë historisë tragjike të tij.
Toponimia e viseve shqiptare si gjatë periudhës së errët parahistorike ashtu edhe në antikën e hershme ka qenë origjinale dhe e gjitha në gjuhën popullore ilire. Fillimi i depërtimit të grekëve të hershëm në territorin etnik ilir shkakton edhe ndikimet e para tjetërsuese të këtij qytetërimi ndaj toponimisë vendase. Pushtimi nga ana e agresorëve grekë të disa qyteteve bregdetare shqiptare si Preveza, Saranda, Butrinti, Durrësi, Kotori, Zadri, Triestja dhe kolonizimi i elementeve etnike greke në to, pati si pasojë edhe emërtimin e gjithë toponimisë së tyre me emra grekë. Me këtë hapësira etnike shqiptare pëson goditjet e para gjenocidale, asimiluese e tjetërsuese. Pushtimi romak e thelloi akoma më shumë këtë gjendje të rëndë. Kjo pasi romakët e pushtuan gjithë territorin etnik ilir, duke filluar nga Sllovenia e sotme në veri, e deri në Thesalinë e sotme të poshtme në Greqi. Me këtë, shqiptarët përveç gjenocideve fillestare që pësuan ishin nën rrezikun konstant të një asimilimi e romanizimi të plotë që nuk do kishte lënë gjurmë të popullit tonë në histori. Elementë të veçuar etnik shqiptar u veçuan në vise të larta e të padepërtueshme malore. Okupatori bizantin që doli nga ndarja e perandorisë romake në dy pjesë e adoptoi gjuhën greke si zyrtare. Me këtë administrata perandorake e Konstadinopojës filloi me greqizim të planifikuar dhe shtetëror të e toponimisë etnike shqiptare. Invazionet sllave të shekujve VII-XII e sllavizuan tërësisht hapësirën ilire në Ballkan. Për pasojë, territori etnik shqiptar erdhi duke u zvogëluar deri përmasat periferike që zë sot. Për më tepër edhe territoret ku sot shqiptarët bëjnë shumicën e popullsisë ranë nën thundrën e sundimtarëve të ndryshëm bullgar e serb. Pushteti okupues sllav i emërtoi territoret e reja me emra sllavë, duke zëvendësuar me to emërtimet e mëparshme greke që i pat instaluar ish administrata e bizantine. Depërtimi i një pushtuesi të ri në skenën ballkanike gjatë shekujve XIV-XV, pati si pasojë edhe paraqitjen e një elementi të ri etnik në toponiminë e këtyre territoreve. Shumë emërvende të kësaj periudhe janë me prapavijë turke, persiane apo edhe arabe. Me këtë plotësohet përfundimisht kuadri laraman i emërvendeve që ne trashëgojmë sot në territoret tona etnike në Europën Juglindore.
Shtetet fqinje duke shfrytëzuar rilindjet e tyre kombëtare dhe krijimin e shteteve të pavarura morën masa për nacionalizimin e emërvendeve të territoreve që i fituan nga rënia e perandorisë otomane. Greqia e ka bërë këtë me dekret shtetëror që në vitet 50-të, duke greqizuar jo vetëm vendet etnike greke, por edhe vendet shqiptare, sllave dhe turke atje. Serbia gjithashtu ka ndjekur një politikë të tillë sërbizimi jo vetëm të territoreve serbe, por edhe të tokave shqiptare dhe hungareze që i kishte nën sundim. Turqia e Ataturkut e ka turqizuar menjëherë gjithë toponiminë e republikës turke, duke turqizuar në mënyrë të padrejtë edhe toponiminë e pjesëve kurde të saj. Në fakt, kjo ndarje e territoreve ballkanike, duke qenë kolonialiste, gjenocidale dhe e padrejtë, la nën sundimin e tyre një pjesë të mirë të tokave të banuara në shumicë nga popullsi shqiptare. Për pasojë, toponimia e këtyre viseve shqiptare si p.sh në Kosovë, Mal të Zi, IRJM dhe Greqi kaloi nga duart e një okupatori te tjetri. Me këtë toponimia sllavizohet dhe greqizohet respektivisht.
Shteti shqiptar që në lindje të tij është ballafaquar me problemin themelor të mbijetesës dhe nuk i ka dhanë rëndësinë dhe vëmendjen e duhur ndryshimit të emërvendeve sllave, greke dhe turke në territorin nën sovranitetin politik të tij. Megjithëse një çështje themelore që prek ne palcën kombëtare, pra në identitet, asnjë qeveri shqiptare e pas pavarësisë nuk ndërmori një aksion për shqiptarizimin e emërvendeve në shkallë vendi në Shqipëri. Për këto arsye propozimi i paradokohshëm i kryeministrit shqiptar z.Sali Berisha na duket i drejtë, i natyrshëm dhe plotësisht europian. Po për këto arsye reagimi i disa soroistëve “shqiptarë” në mbrojtje të toponimisë greko-sllavo-turke të tokave shqiptare na duket i padrejtë, cinik, i papranueshëm dhe antieuropian njëkohësisht.
Territori i Shqipërisë së sotme administrative dhe ai i Novi-Pazarit, Kosovës, IRJM-së perëndimore, Malit të Zi jugor dhe Çamërisë është i mbushur me emërvende sllave, greke dhe turke. Emra qytetesh, fshatrash, malesh, fushash, kodrash, arash, luginash, liqenesh, lumenjsh, grykash, gjiresh, portesh, kalash, urash, xhamish, kishash, ndërmarrjesh të ndryshme private, shkollash private e në disa raste edhe publike, institucionesh të ndryshme publike e çkamos tjetër janë në gjuhët greke, sllave dhe turke. Jezerce, Sellce, Gradice e Rahovice; Pulheros, Sarandon e Basilikos; Elbasan, Jurumleri, Hisar e Mamushe; Porto Romano e Porto Palermo, duhet zhdukur gjithë bashkë dhe urgjentisht nga harta e trojeve shqiptare. Me këtë duket sikur ish okupatorët u thonë shqiptarëve se jemi prezentë brenda jush si shpirtra të këqinj (goasts) nga e kaluara edhe kur nuk jemi prezentë fizikisht aty. Me këtë sikur duan ti trembin shqiptarët, se ja, nuk keni nga ikni, ne kemi qenë këtu, jemi këtu dhe mendojmë të vijmë përsëri në vendin e krimit. Kjo gjendje absurde dhe unikate në gjithë globin duhet të marrë fund. Asnjë popull i botës nuk toleron vazhdimësinë e emërvendeve të ish okupatorëve të vet edhe pas çlirimit kombëtar të tij. Kjo nuk ndodh as te fiset afrikane të pavarësuara me procesin e dekolonizimit në vitet 60-të shek.XX.
Pra çështja nuk shtrohet se a duhet bërë ky ndryshim toponimik apo jo? Pyetja është si duhet vepruar në praktikë dhe sa me shpejtë. Dhe pikërisht këtu duhet kërkuar dhe gjetur seriozitetin shkencor te atyre që do të vendosin për rikthimin e toponimisë së sotme të përçudnuar shqiptare në origjinalitetin shqiptar të saj. Me këtë çështje sensitive dhe shumë shkencore të meret Akademia jonë shqiptare e shkencave me gjithë ekipet shkencore të specialistëve që i ka në dispozicion. Universitetet të japin gjithashtu kontributin e tyre mendor profesional për këtë projekt historik. Të formohen grupe të përbashkëta pune në mënyrë që procesi të jetë institucional, serioz, i kontrolluar dhe të ecë njëkohësisht dhe harmonikisht si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në Ballkan. Procesi të jetë i afatizuar dhe me përgjegjësi të ndara qartazi mes bartësve të tij. Sa i takon Çamërisë, territorin e së cilës nuk e kontrollon as shteti shqiptar e as faktori etnik lokal vendës, procesi të ecë si për çdo vend tjetër shqiptar, dhe të bëhen gati gjithashtu lista të veçanta me emërtime shqipe të gjithë emërvendeve që ekzistojnë në këtë tokë historikisht shqiptare. Të rishqiptarizohen ato emërvende që okupatorët e ndryshëm gjatë historisë i deshqiptarizuan me dhunë dhe me hekur. Toka shqiptare të frymojë e lirë shqip