01.09.2009
Fërkimet e fundit ndërmjet Perëndimit dhe Kosovës rreth pranisë së misionit të EULEX-it, do të mund të eskalojnë në një sfidë serioze sigurie, vlerëson Agjencia amerikane për hulumtime strategjike Stratfor.
Tensionet në rritje ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Perëndimit nuk do të bien përderisa EULEX-i të qëndroj në Kosovë, vlerëson kjo agjenci. Ndërkohë kryeministri Thaçi dhe zyrtarë të EULEX-it kanë mohuar ekzistencën e fërkimeve të përmendura.
Agjencia amerikane për hulumtime strategjike Stratfor, konstaton se rritja e fundit e pakënaqësisë me BE-në ‘mund të paralajmëroj një problem serioz në përpjekjet e perëndimit për të implementuar rendin dhe ligjin në shtetin e ri të Ballkanit". Përderisa Qeveria e Kosovës deri tani është treguar e vakët në "armiqësinë" ndaj EULEX, duket se vetëm është çështje kohe kur ajo do të filloj fuqishëm të veproj, konstaton Agjencia amerikane për hulumtime strategjike Stratfor.
Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar sot se vizioni i Kosovës është që ajo të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe, kjo do të ndodhë.
“Ne kemi prezencë shumë të fuqishme të BE-së në Kosovë, kemi prezencën edhe të ICO-së edhe të EULEX-it, por gjithashtu kemi tash edhe agjendën e qartë që do të del në raportin e studimit të fizibilitetit për Kosovën, drejt strukturave evropiane. Pra, vizioni ynë është që Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe kjo do të ndodhë”, ka thënë kryeminisitgri Hashim Thaçi.
Edhe zyrtarët e misionit evropian në Kosovë EULEX kanë mohuar të ketë fërkime mes këtij institucioni dhe atyre të Republikës së Kosovës, duke thënë se bëhet fjalë për disa ndryshime në pikëpamje.
Zëdhënësja e EULEX-it Karin Limdal tha për Kosovapress se veprimet e EULEX-it në lidhje me ngjarjet e fundit në veri kanë qenë për të mbështetur Policinë e Kosovës dhe për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës, ndërsa ka shtuar se krimi i organizuar, kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore, drogës dhe armëve, janë krime serioze që mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit rajonal. (rtk)