25.08.2009 Gjatë transmetimit të seancës së sotme të Kuvendit, shikuesit e kanalit të tretë të TVM-së, lexuan me titra: “Njoftim për shikuesit e kanalit të parlamentit të cilët marrin sinjalin audio dhe video në kanalin 62, që të kenë mirëkuptim në rast se ka pengesa, për shkak se Ndërmarrja Publike Radio-Televizioni i Maqedonisë po bën rregullimin e zërit në dy kanale”.
Në parlamentin e Maqedonisë sërish nisi të funskonojë sistemi me dual ton për transmetimet në Televizionin Publik, pasi TV Alsat konstatoi se ky sistem nuk funksiononte për një kohë të gjatë.
Çështja është komentuar edhe nga deputetët shqiptarë. Për BDI-në të gjithë ata që kanë televizor me dual ton kanë mundësi që deputetet shqiptarë gjatë paraqitjes së tyre t’i dëgjojnë në gjuhën shqipe, nga DR-ja deklarojnë se në kanalin e Parlamentit, nuk funksionon gjuha shqipe prej momentit kur BDI-ja është pjesë e pushtetit.
“Për momentin është e rregulluar që përkthimet shkojnë kur deputeti shqiptarë debaton në gjuhën shqipe përkthehet në gjuhën maqedone dhe në kanalin e tretë mund të dëgjohet në frekuencat e rregullta përkthimi në gjuhën maqedone kurse në frekuencat tjera të cilat poashtu shkojnë në kanalin e tretë mund të dëgjohet origjinal kur debaton deputeti shqiptarë në gjuhën shqipe”,sqaron Rafiz Haliti, deputet i BDI-së.
“Në kanalin e tretë apo në kanalin e parlamentit, gjuha shqipe ka një kohë, gati një vjet nuk funksionon. Çështja e parë është çështja politike e cila normalisht i mbetet për detyrë BDI-së si pjesë e pushtetit. Pjesa e dytë e cila është teknike, me të nuk ka kush të miret meqë është pjesë e kryer, do të thotë në kohën kur unë isha nënkryetarë i Parlamentit dygjuhësia funksiononte nëpërmes të ashtuquajturit sistem dyzanor apo dual sistem, arsyetimet se nuk ka mjete teknike, arsyetimet se aparatura nuk lejon një gjë të tillë janë banale”, thekson Besim Dogani, deputet i DR-së.
Ndonëse me ligjin për përdorim të gjuhës shqipe është parashikuar që gjatë fjalimit të deputetëve maqedonas të ketë përkthim në gjuhën shqipe, kjo sipas Rafiz Halitit të BDI-së për shkaqe teknike nuk funksionon akoma.
"Me ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe dhe me rregulloren e Kuvendit garantohet përdorimi i gjuhës shqipe në nivel të kryetarëve të komisioneve dhe përkthimi i deputetëve qoftë atij shqiptarë në gjuhën maqedone, qoftë deputetit kur debaton në gjuhën maqedone të përkthehet në gjuhën shqipe", shton Rafiz Haliti.
Por sipas Halitit, edhe pse ligji që rregullon këtë çështje është miratuar para një viti kjo nuk është realizuar deri më tani për shkak të sigurimit të kushteve e teknike. (alsat-m)