25.08.2009 Ministrja e Brendshme Gordana Jankulloska tha se në këtë vendkalim kufitar, kanë funksionuar dy grupe policësh, gjithsej 22 policë, njëri prej të cilëve nuk është arrestuar ende, që u kanë marrë para udhëtarëve për të shpejtuar procedurat e kalimit të kufirit.
21 pjestarë të policisë janë vënë nën pranga, pasi janë kapur në flagrancë duke marrë rryshfet. Ngjarja ka ndodhur në vendkalimin kufitar “Tabanoc” që lidh Maqedoninë me Serbinë.
"Çdo personi fizik, udhëtar i cili ka kaluar këtë vendkalim kufitar, u janë kërkuar shuma të ndryshme parash duke filluar nga 5 euro e deri më 50 euro, varësisht nga modeli I veturës dhe numri I udhëtarëve në të. Paratë janë mbledhur dhe në fund të orarit të punës janë ndarë proporcionalisht për të gjithë anëtarët e grupit. Vlerësimi ynë është se shuma e parave që policët në fund të orarit të tyre kanë marrë është rreth 100 Euro por janë shënuar dhe dokumentuar raste kur kanë marrë dhe më shumë. Ne kemi të dokumentuar më shumë raste ku shihet qartë se keqpërdoret pozita zyrtare për shkak të marrjes së rryshfetit dhe kemi raste të dokumentuara të cilat tregojnë se bëhet fjalë për grup të organizuar .Të gjitha këto dëshmi përfshirë edhe ato video dhe audio i janë dorëzuar gjykatësit hetues", njoftoi Gordana Jankullovska, ministre e Punëve të Brendshme.
Ministria e Brendshme që nga fillimi i vitit ka hetuar për të realizuar operacionin “Bumerang”. Nga MPB informojnë se për 7 muaj janë identifikuar dhe dokumentuar, vetëm dy grupe të policëve të pikës kufitare “Tabanoc”. (alsat)