18.08.2009 “Për ne është me rëndësi veçanërisht të ritheksohet roli dhe misioni i EULEX-it në Kosovë dhe ky mision ka për detyrë t’i mbështes dhe t’i këshilloj në përgjithësi institucionet kosovare që janë relativisht të reja dhe që pretendojnë të jenë kompatibile dhe të krahasueshme me institucionet tjera të regjionit dhe të Evropës. Ndërsa sa i përket bashkëpunimit me vendet fqinje të institucioneve tona e integrimit në institucionet ndërkombëtare, marrëveshje bilaterale dhe marrëveshje tjera të ndryshme me vendet dhe institucionet tjera, kompetente janë vetëm institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Pajaziti.
EULEX-i nuk ka të drejtë të bëjë marrëveshje me Serbinë, sepse kjo përgjegjësi i përket vetëm institucioneve të Kosovës. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, pas njoftimeve se EULEX-i, është në prag të nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Beogradin, rreth luftës ndaj krimit të organizuar.
Ministri Pajaziti tha se autoritetet kosovare nuk kanë lidhje me këto marrëveshje dhe se këto janë plane bashkëpunimi vetëm midis EULEX-it dhe shteteve të rajonit. “EULEX, ka plane të nënshkrimit të marrëveshjeve të tilla edhe me shtetet e tjera, me Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë dhe bëhet fjalë vetëm për marrëveshje bashkëpunimi në mes të misionit të Eulex-it me këto vende dhe as se si të institucioneve kosovare me vendet e tjera”, vijoi Pajaziti.
Marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet midis EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë, ka të bëjë me bashkëpunimin policor dhe menaxhimin e sigurisë në territorin e Kosovës dhe atij Serbisë, me synim luftën ndaj krimit të organizuar dhe atij kufitar.