29.08.2009 ... rindërtimin e shtëpive në lagjen veriore “Kroi i Vitakut”, edhe të premten kordonët e policisë së EULEX-it dhe policët e Stacionit policor në veri, vazhdojnë ta pengojnë procesin e rindërtimit të shtëpive dhe kthimit të shqiptarëve në shtëpitë e tyre.
Policia dhe EULEX-i vazhdojnë t'i pengojnë shqiptarët për rindërtimin e shtëpive në veri. Përkundër deklaratave të “forta” të kreut të qeverisë dhe pritjeve që të arrihet një kompromis për vazhdimin e punimeve për ...
Kordonët e Policisë së Kosovës dhe ata të EULEX-it ndajnë edhe sot punëtorët shqiptarë që janë të interesuar të vazhdojnë punimet dhe banorët serbë që kundërshtojnë kthimin në shtëpitë e tyre të fqinjëve shqiptarë.
Musa Haliti, njëri nga përfaqësuesit e lagjes “Kroi i Vitakut”, tregon se arsyetimi i policëve të stacionit verior, të cilët kanë bllokuar rrugën edhe të premten në mëngjes, për të mos i lejuar punëtorët shqiptarë të punojnë në shtëpitë e vitakëve, është se nuk ka urdhër të prerë nga Prishtina për lejimin e punimeve.
“Ne jemi të vendosur që t’i vazhdojmë punimet, në mënyrë që njerëzit të kthehen në tokat e tyre dhe do të vazhdojmë të kërkojmë një gjë të tillë që e konsiderojmë të drejtë tonën”, thotë Haliti.
Ai nuk e ka të qartë pse Policët e Kosovës dhe ata të EULEX-it pengojnë shqiptarët në punët e tyre, duke ua mohuar të drejtën për kthim në shtëpitë e tyre, në vend se të ndërmarrin masa ndaj serbëve që kundërshtojnë këtë proces pa ndonjë arsye.
Pas takimit me zëvendëskomandantin e Policisë rajonale të Kosovës, Ergin Medic, banorët e lagjes kanë shpresuar se të enjten pasdite do të lejohen të vazhdojnë punimet dhe ata kanë pritur kot deri në orët e mbrëmjes.
Milija Milosevic, komandant i Stacionit verior të Policisë së Kosovës, ka deklaruar se posedon dy urdhra, njëri për lejimin dhe tjetri për moslejimin e punëve në atë lokalitet.
Mësohet se nga Prishtina ishte urdhri jo aq i prerë, që të zhvendosen kordonët e policisë dhe punëtorë të lejohen të punojnë nëse janë krijuar kushtet, derisa urdhri nga EULEX-i ka qenë që të mos lejohen punimet.
Policët e stacionit të veriut, duke mos shprehur gatishmërinë për zbatimin e urdhrit të Prishtinës, kanë pritur derisa në lokalitetin e vitakëve ku janë tubuar dhjetëra serbë që kundërshtojnë këtë proces.
Kjo u ka shërbyer policëve të stacionit veri që të arsyetohen se nuk ka kushte për vazhdimin e punëve.
Ndonëse në vendin e ngjarjes kanë arritur forca shtesë të policisë së EULEX-it, mbrëmë rreth orës 17:00, Medic ka deklaruar përmes telefonit se janë duke pritur përforcime nga Njësit speciale të policisë për largimin e protestuesve serbë, pasi që sipas tij, përveç 50 serbëve që shiheshin te pronat e vitakëve, qëndronin edhe rreth 300 të tjerë në afërsi.
Njësitë speciale të policisë janë nisur në drejtim të lagjes, mirëpo ata janë ndalë te ura e Suhadollit, pasi që EULEX-i nuk i ka lejuar që të shkojnë në lagje.
Banorët e lagjes “Kroi i Vitakut” sikurse edhe punëtorët e kompanisë ndërtimore “Iso 999” që në mëngjes kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë penguar nga kordoni i policisë që të vazhdojnë punimet në rindërtimin e shtëpive të vitakëve, të djegura gjatë luftës nga forcat serbe të sigurisë, ndërkohë që në këtë lokacion përsëri janë tubuar dhjetëra serbë për të kundërshtuar procesin e rindërtimit dhe kthimit. (KosovaLive)