18.08.2009 Misionin e Bashkimit Evropian ne e "kemi ftuar vetë", kur u shpall pavarësia e vendit, që të na ndihmojë në fushën e rendit dhe të drejtësisë. Dhe, ja ku vjen mbështetja. Me Beogradin dikush duhet të bashkëpunojë. Meqë serbët s'e njohin shtetin që e themeluan shqiptarët në Kosovë, atëherë në skenë del EULEX-i.
Edhe opozita, edhe pushteti, e di fare mirë se EULEX-i mund ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë duke mos i përfillur në këtë rast autoritetet legjitime të Republikës së Kosovës.
Marrëveshja qartësisht ka karakter teknik, për shkëmbimin e informatave që ndërlidhet me luftimin e përbashkët rajonal të kriminalitetit, por përjashtimi i institucioneve shtetërore kosovare është një vendim politik.
Mes krenarisë për të mos e bërë edhe një shkelje kushtetuese dhe pragmatizmit për t'i hapur rrugën protokolleve që luftojnë krimin, rasti i dytë është drejt triumfit. Edhe ashtu, Kushtetutën e Republikës tashmë e kemi bërë si njëfarë tradite negative që ta shkelim si rëndom, prandaj edhe një herë më shumë s'lë ndonjë shenjë të madhe.
Ajo që është brengosëse në mesazhet që na i jep politika jonë, është mungesa e realizmit. Pushtetarët shfaqen "të nervozuar"para opinionit publik, a thua se do t'i vijë keq EULEX-it për "marrjen e përgjegjësive". Opozitarët gjithashtu shprehin "zemërim", por këta e kanë me pushtetin. Të dyja palët e dinë se s'kanë ç'të bëjnë dhe kjo është punë e kryer, siç ka qenë plani i Ahtisarit, decentralizimi, flamuri, etj. Marrëveshja e paralajmëruar, të cilën EULEX-i e argumenton në mënyrë kaotike në deklaratën zyrtare duke u kacavjerrur edhe në Rezolutën 1244, e bën të paqartë rolin që kanë dikastere, si Ministria e Punëve të Brendshme, që kanë kompetenca ekzekutive në fushën e sigurisë, apo të Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Me këtë ritëm të ngjarjeve, MPB-ja lirisht mund të bëhet një departament i EULEX-it dhe s'kemi pse të shqetësohemi më. (Editorial i Kosova Sot)