Edhe pas takimit, kosovaret kunder protokolit te EULEX-it me Serbine

20/08/2009 21:56

 

Edhe pas takimit, kosovaret kunder protokolit te EULEX-it me Serbine

21.08.2009
Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon nuk ka arritur të marrë pëlqimin e udhëheqëseve të Kosovës për nënshkrimin e protokollit për çështje policore me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi i kanë thënë në mënyrë të prerë shefit të EULEX se vetëm institucionet e Republikës së Kosovës janë kompetente për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve me vendet tjera.
Pas takimit që zgjati rreth një orë, Ives de Kermabo pranoi se ka pasur qëndrime të kundërta, ndërsa tha se do të vazhdoi përpjekjet e tij për të marrë pëlqimin e institucioneve të Kosovës për nënshkrimin e këtij protokolli me Serbinë.

“Sa i përket nënshkrimit të këtij protokolli, ne ende kemi pikëpamje të ndryshme me institucionet e Kosovës. Ne besojmë fuqishëm se mënyra më e mirë për të larguar këto mosmarrëveshje është që të presim tutje... Ne duhet që të punojmë së bashku për të gjetur një zgjidhje më të mirë. Është ende herët që të arrijmë deri te një përfundim. Ne së bashku gjendemi këtu që të bashkëpunojmë të dhe të koordinojmë dhe mbetët të shihet”, theksoi Yves de Kermabon, shef i EULEX-it.

Sejdiu e Thaçi, në anën tjetër, ishin kategorikisht kundër nënshkrimit të këtij protokolli.

“Absolutisht nuk mendojmë se mund të ketë ide që dikush të instrumetoj apo të mbajë gjallë strukturat paralele, të cilat realisht janë në dëm edhe të vetë komunitetit serb, sepse e mbajnë peng në iluzione për procese nëpër të cilat kemi kapërcyer. Por, do të japim ofertën më të mirë të mundshme të zhvillimit të Kosovës, të proceseve integruese edhe me atë pjesë të qytetarëve që ende mbajnë pezull vetën e tyre dhe të ecim në një bashkëpunim për të ardhmen e përbashkët”, deklaroi Fatmir Sejdiu, President i Kosovës.

“Në asnjë rrethanë Beogradit nuk do ti jepet hapësirë e as autoritet në territorin e Republikës së Kosovës përmes asnjë mekanizmi, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar. Vendimet për Prishtinën i marrin institucionet e Republikës së Kosovës. Pra, vendrimi i Prishtinës është i qartë se institucionet e Kosovës janë ato që vendosin për Prishtinën”, nënvizoi Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

Shefi i EULEX-it përsëriti edhe njëherë se EULEX-i nuk mundet dhe nuk do të nënshkruaj asnjë marrëveshje protokollare në emër të Kosovës, ndërsa siguroi liderët se kjo marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë nuk ka të bëj me planin 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara, i cili është refuzuar nga Prishtina.

Ky protokoll, Kermabon tha se do të ndihmoj luftimin e krimit dhe kontrabandës dhe ka të bëj me bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe policisë serbe. Por megjithatë liderët e Kosovës ishin kategorik kundër, ndërsa i kujtuan atij se vetëm Prishtina zyrtare mund të nënshkruajë marrëveshje në emër të Kosovës me vendet fqinje. (alsat-m)


 

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode