25.08.2009 Ambasadori Dell, i cili ka filluar tashmë detyrën e tij të re në Kosovë, ia ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit Fatmir Sejdiu, duke e siguruar atë dhe popullin e Kosovës për interesimin e vazhdueshëm të Washingtonit për Kosovën. “Mund t’ju siguroj juve si president dhe popullin e Kosovës se mund të llogarisni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner tuajin”, tha Dell.
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kurse mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës do të jetë e pandalshme, ka thënë të hënën në Prishtinë, Christopher Dell, i cili ka marrë detyrën e ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë.
Në vazhdim, ambasadori amerikan rikujtoi parimet kryesore të politikës amerikane ndaj Kosovës, të cilat ai tha se janë shumë të thjeshta, por edhe të qarta. “Së pari, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kurse mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës do të jetë e pandalshme. Së dyti, Qeveria amerikane mbetet e përkushtuar të mbështesë një Kosovë demokratike, shumetnike dhe të integruar në strukturat veri-atlantike”, tha ambasadori Dell.
Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu falënderoi Qeverinë amerikane për mbështetjen që i jep në vazhdimësi Kosovës. Ndërsa, ambasadorit Dell i premtoi gatishmërinë e tij dhe të institucioneve për bashkëpunim të vazhdueshëm.
Ambasadori Dell ka pasuar në këtë detyrë ish-ambasadoren Tina Kaidanow, e cila është angazhuar në një detyrë të re diplomatike. Dell është i njohur për kosovarët, pasi që ai ka udhëhequr Misionin e Zyrës Amerikane në Prishtinë.