Bashkebisedim me shqiptarin "jetim" nga Maqedonia

18/08/2009 12:07

 

Bashkebisedim me shqiptarin "jetim" nga Maqedonia

18.08.2009
ramadan cipuri nga Ramadan Cipuri
Po lexoja një lajm lidhur me bojkotin që PDSH në Maqedoni i kishte bërë parlamentit maqedonas, teksa më erdhi në mendje biseda me një mikun tim maqedonas me të cilin vetëm një natë më parë po bisedonim rreth çështjes shqiptare në këtë vend.


Më mbetën në mendje fjalët e tij kur fliste plot dëshirë për atë që u kishte mësuar fëmijëve të mi që të donin më shumë Shqipërinë dhe Kosovën sesa Maqedoninë.

Kur je në trojet tua, mbase nuk arrin të kuptosh rëndësinë e të qenurit nën strehën e atdheut tënd, pavarësisht liderëve e politikanëve që ka e që mund të mos të të pëlqejnë. Ishte e dhimbshme kur miku im shprehej se shqiptarët e Maqedonisë e kishin syrin drejt Tiranës së verbër e cila gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka ditur kurrësesi si të kërkojë të drejtat e popullit të saj që jeton në trojet e veta e të grabitura. “Ne kemi mbetur si jetim”,- më tha miku teksa përpiqej të më tregonte për ato që kanë përjetuar në periudha të ndryshme pas vitit ’90.

Ndërkohë që Shqipëria dhe Kosova pavarësisht problemeve të shumta që përjetojnë u kanë siguruar shqiptarëve jetë në trojet e tyre, për shqiptarët e Maqedonisë nuk është e njëjta situatë. Ata janë të huaj në trojet e tyre. Nga ana tjetër, roli i Tiranës zyrtare duket se ka mbetur në vend. Politika e Tiranës deri më tani nuk ka dënjuar kurrë që të përdor autoritetin dhe fuqinë e saj në Ballkan për tu dalë zot bashkëkombasve të saj.

Miku im po më përshkruante edhe punën që bënte dhe rolin aktiv që institucioni që ai drejtonte luan në ngritjen dhe sjelljen në problamatikë aktuale të çështjes shqiptare në këtë vend. Ai, krejt i zhgënjyer, po më përshkruante edhe rolin e “gjasmë” selisë diplomatike shqiptare në Shkup, ambasadori i së cilës nuk kishtë marrë pjesë në asnjë organizim të bërë nga shqiptarët. “Nuk arrij të kuptoj se si një ambasador shqiptar mund të qëndroj kaq pasiv kundrejt organizimesh që shqiptarët bëjnë në Maqedoni, në një kohë kur pozicioni i tyre është mëse i qartë”, tregonte ai. Madje, ai po më fliste edhe për një organizim të tyrin ku nga pesë ambasadorë që ishin ftuar, vetëm ai shqiptar nuk kishte dënjuar të merrte pjesë.

Edhe pse një akademik mjaft i përgatitur e që i druhej situatave sensacionale, miku im po më tregonte për dhunën dhe presionin që shqiptarëve të Maqedonisë u ishte ushtruar gjatë 1997-s, kur Shqipëria po përjetonte tmerrin e piramidave. “Kur Shqipëria është e fortë, edhe këta druhen, kur ajo është e dobët, neve na shtypin kokën”, tregonte ai i mërzitur.

Një tjetër zhgënjim ishte edhe roli i mediave shqiptare të Tiranës në Maqedoni. “Nuk mund të luhet me të njëjtat letra siç luhet në Tiranë. Mediat e Tiranës janë zhvilluar në standarte ndërkombëtare, por kur vjen çështja për të debatuar rreth aktualitet shqiptar në Maqedoni, duhet me patjetër që të kërkohet diçka mbështetëse dhe konstruktive, e jo të gërmosh për të nxjerrë të palarat e Menduh Thaçit apo të ndonjë tjetri si e si që të krijosh rend dite.” - vijoi ai.

Teksa po ndaheshim nga lokali ku ishim ulur, miku, me gjithë mirësjellje më kërkoi ndjesë duke menduar se më kishte mërzitur me ato që më kiste treguar. Por, në fakt isha unë, ishim ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës që duhet të kërkonim falje ndaj tij dhe ndaj gjithë shqiptarëve të Maqedonisë...

 

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode