Agjerim te lehte dhe me shume humanizem

21/08/2009 14:12

 

Agjerim te lehte dhe me shume humanizem

21.08.2009
Për familjet në nevojë është ndezur një dritë shprese që edhe ato të kenë një jetë normale, të gjejnë një strehë të sigurt, të ushqehen më mirë. Mbi një milion euro janë grumbulluar, pas donacioneve të dhëna nga kompanitë publike fitimprurëse, si Postë - Telekomi i Kosovës, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës dhe së fundmi nga kompanitë e sigurimeve.

Një milion nuk mjafton për të zgjidhur hallet e jashtëzakonshme që i ka vendi me varfërinë dhe papunësinë më të lartë në Evropë. Por, gjithsesi, është hera e parë që në mënyrë të organizuar ndahen kaq fonde për kategoritë më të rrezikuara. PTK-ja, për shembull, kurrë nuk ka ndarë më shumë donacione me karakter humanitar sesa gjatë këtij viti. Kemi rastin e minatorëve të "Trepçës", pensionistët, familjet e viktimave të aksidentit tragjik në Suhadoll etj.

Kjo politikë e re, e ndjekur nga institucionet tona dhe menaxhmentet e kompanive publike, duhet nxitur që të vazhdojë edhe më tutje. Prej këtyre fondeve duhet zgjeruar hapësira e përfituesve, duke ruajtur theksin te shtresat e margjinalizuara, të skamurit dhe invalidët. Shembulli i dhënies së donacioneve serioze mund të ndiqet edhe nga biznesi privat, individët e suksesshëm, organizatat e ndryshme, të cilët mund ta zbusin sadopak gjendjen e rëndë sociale që mbretëron aktualisht në Kosovë.

Derisa shteti të fuqizohet dhe të jetë në gjendje të sigurojë minimumin jetik për çdo qytetar, jeta e mijëra kosovarëve është në mëshirën e fatit.

Duhen qindra milionë euro që të zhduket varfëria, duhet zhvillim i hovshëm ekonomik, punësim dhe më tepër fonde sociale. Shoqëria kosovare ka nevojë për më tepër akte të tilla dhe humanizëm nga secili që ka mundësi të ndihmojë ndonjërin në vështirësi ekonomike.

Muaji i Ramazanit është një rast i mirë për ta shprehur ndjenjën solidarizuese dhe mbështetje për ata që s'kanë. (kosovasot)


 

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode